Instituti i Politikave Mjedisore ndërmorri dy ekspedita vëzhgimore në Kukës e Has në maj 2020, për të vëzhguar popullata të reja të Tulipa albanica e Tulipa kosovarica dhe për të caktuar zonat e reja për shumimin e tulipanit shqiptar, jashtë zonës kryesore të tulipanit shqiptar në Surroj, Kukës. Një popullatë e konsiderueshme e Tulipa kosovarica, me disa individë të Tulipa luanica u vëzhgua në Oplas të Bashkisë Has. Grupe të vogla të tulipanit të pyllit, Tulipa sylvestris u gjetën gjithashtu në zonën e tulipanit shqiptar. Ngrohja globale preku në mënyrë negative popullatat e tulipanit shqiptar këtë vit, duke tharë që në gonxhe shumë individë gjatë valës së të nxehtit në datat 14-19 maj 2020.