Konferenca rajonale “Media, OJF-të dhe bujqësia e qëndrueshme”, bashkuan në një “tryezë të qëndrueshme” përfaqësues nga mediat e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
Konferenca u mbajt në Zrenjanin, Serbi, në datat 15-17 dhjetor 2017 dhe në të morën pjesë më shumë se 30 gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia. Konferenca u bë në kuadër të projektit “Bujqësi e qëndrueshme për një Ballkan të qëndrueshëm”, që financohet nga BE dhe zbatohet nga konsorciumi i OJF-ve me në krye ORCA-n, dhe ku Instituti i Politikave Mjedisore është partneri përfaqësues i Republikës së Shqipërisë. Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesit e OJF-ve partnere në projekt.
Qëllimi i konferencës ishte që të ndante te pjesëmarrësit informacion të dobishëm rreth çështjeve kryesore që lidhen me bujqësinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, si mbrojtja e natyrës në zonat bujqësore, ndikimet e ndryshimeve klimatike në bujqësi, rëndësia e mirëqenies së bagëtive e kafshëve të tjera të prodhimit, si dhe përvojat në aplikimin e masave agro-mjedisore në Maqedoni e Serbi.
Gazetarët ndanë gjithashtu përvojat dhe idetë e tyre me kolegët nga vendet e rajonit. “Tryeza e qëndrueshme”, ishte një tryezë me ushqime e produkte vendore nga vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor dhe që u sollën nga vetë pjesëmarrësit, si p.sh. proshutë, djathë e verë nga Mali i Zi, kek, bozë, raki dhe konjak nga Shqipëria, biskota, fruta të that, ajvar dhe raki nga Maqedonia dhe reçelna e çokollata nga Serbia. Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu dhe kështjellën Kashtel në Eçka, ku udhërrëfyesi turistik foli për historinë dhe zhvillimin e bujqësisë në këtë pjesë të qarkut Banat në Vojvodinë, Serbi.
Foto nga aktiviteti: