Shkëmbimi Rinor “Ekoturizmi: Të zhvillojmë një sjellje që respekton mjedisin dhe trashëgiminë kulturore” u zhvillua në Berat, Republika e Shqipërisë më 17-23 tetor 2016. Organizata drejtuese ishte IPSIA Acli dhe organizata pritëse ishte Instituti i Politikave Mjedisore. Në këtë shkëmbim morën pjesë 38 pjesëmarrës nga
Istituto Pace Sviluppo Innovazione Acli IPSIA (Itali); Asociación Cultural Muxelka (Spanjë); Instituti i Politikave Mjedisore (Republika e Shqipërisë); JOETZ VZW (Belgjikë); homo ecos: (Letoni); SHL- Kosova (Republika e Kosovës).
Gjuha e përdorur gjatë shkëmbimit: Anglishtja
Projekti solli së bashku 38 të rinj nga vende të ndryshme të Evropës, në Berat, një qytet në listën trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjatë shkëmbimit u përdorën metoda formale e joformale për përcjelljen e informacionit dhe shkëmbimit të modeleve e përvojave në fushën e ekoturizmit. Aktivitetet u zhvilluan në natyrë, vende të hapura e qytet, duke patur sa më shumë ndërveprim me banorët vendas. Pjesëmarrësit mësuan rreth modeleve të ndryshme të ekoturizmit, si dhe u njohën me problematikat që qyteti i Beratit përballet, sidomos hedhja e mbetjeve në Lumin Osum. Të rinjtë e këtij shkëmbimi bënë gjithashtu dhe disa miniprojekte për të ndihmuar ekoturizmin në Berat, projekte të cilat mund të vazhdohen më tej për të ndihmuar në rritjen e turizmit dhe ruajtjes së mjedisit në Berat.
Një nga produktet e këtyre miniprojekteve është dhe videoja e realizuar nga të rinjtë: Një ditë në Berat
Ekoturizëm do të thotë një sjellje me përgjegjësi e turistit, që ka si synim ruajtjen e mjedisit dhe të respektimit të popullatës vendase. Ekoturizmi është një filozofi, një mënyrë jetese që vjen nga ndërgjegjja e turistit dhe ndikimi që ai/ajo ka në mjedis. Qëllimi i këtij shkëmbimi rinor është që të nxitet ndërgjegjësimi që sjellja jonë ka dhe ndikon në mjedisin që na rrethon, një ndikimi që duhet ta ulim me një sjellje sa më të përgjegjshme.